Dorjan Teliti, Këshilltar për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht Nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka denoncuar abuzimet e vazhdueshme me asetet dhe financat publike në Bashkinë e Tiranës.
Duke iu referuar pamjeve të publikuara nga emisioni investigativ “Piranja”, Teliti akuzon kryetaren në detyrë të Bashkisë, znj. Anuela Ristani, për përdorim të mjeteve publike në funksion të interesave personale dhe familjare, duke shkelur rëndë etikën dhe ligjin.
“Me zë dhe me figurë pamë sesi jo vetëm nuk mbahej përgjegjësi nga ana e Kryetares se Komanduar për shkeljen e rëndë të kryer në vazhdimësi duke përdorur padrejtësisht mjetet e Bashkisë për interesa personale të saj dhe të të afërmve të saj, por pamë edhe sulmin e saj aspak etik, madje edhe me nota të larta nervozizmi edhe tone tejet kërcënuese ndaj gazetarëve të cilët po bënin detyrën e tyre.”– thekson Teliti.
Në deklaratën e tij, ai kërkon hetim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, llogaridhënie në Këshillin Bashkiak dhe largimin e menjëhershëm të znj. Ristani nga detyra, ndërsa rithekson se Tirana nuk mund të vijojë të trajtohet si pronë private nga pushtetarët aktualë.
