Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi, ku një vajzë 13-vjeçare dyshohet se është vrarë nga babai i saj dhe më pas është varrosur në kopshtin e një prone familjare.
Viktima, Zehra Uzum, ishte raportuar e zhdukur më 2 mars nga familja e saj në qytetin Eskisehir. Pas denoncimit, policia nisi menjëherë kërkimet për gjetjen e saj.
Dy ditë pas zhdukjes së vajzës, babai i saj, Abdulrazak Uzum, kreu vetëvrasje duke u varur. Ky zhvillim bëri që hetimet e policisë të përqendroheshin tek ai dhe aktivitetet e tij para vdekjes.
Pas analizimit të bisedave telefonike dhe provave të tjera, policia kreu kërkime në një kopsht në zonën rurale Asagıkartal të rrethit Tepebası. Gjatë gërmimeve, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 13-vjeçares të varrosur në tokë.
Në vendngjarje mbërritën prokurori dhe ekspertë mjeko-ligjorë për të kryer veprimet hetimore, ndërsa trupi i vajzës u dërgua në spital për autopsi. Autoritetet turke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
