Tragjedia e 19-vjeçares shqiptare në Kefaloni/ Tre të rinj dalin para gjykatës, akuza rëndohet në vrasje me dashje përmes mosveprimit

Data

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë për vdekjen tragjike të 19-vjeçares shqiptare Myrto në Kefaloni, ndërsa tre të rinjtë e arrestuar pritet të dalin sot para gjykatës.

Sipas hetimeve të autoriteteve greke, akuza ndaj tyre është rënduar ndjeshëm: nga shkelje të ligjeve për drogën dhe ekspozim ndaj rrezikut, tashmë ata përballen me akuzën për vrasje me dashje përmes mosveprimit.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Argostoli, ku e reja u gjet pa ndjenja në një shesh publik në orët e para të mëngjesit. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

Dyshimet e hetimit

Sipas aktakuzës, tre të rinjtë (26, 23 dhe 22 vjeç) ndodheshin me viktimën në një dhomë hoteli, ku ajo humbi ndjenjat. Hetuesit dyshojnë se ata nuk i ofruan ndihmën e nevojshme dhe më pas e braktisën në hapësirë publike.

Pamjet e kamerave të sigurisë konsiderohen prova kyçe, pasi tregojnë një nga të dyshuarit duke e nxjerrë vajzën pa ndjenja nga hoteli dhe duke e lënë jashtë.

Gjithashtu, ekzistojnë indicie se autorët mund të kenë tentuar të fshijnë gjurmët, duke pastruar dhomën dhe duke zhdukur telefonin e viktimës, i cili u gjet më vonë i braktisur.

Shkaku i vdekjes

Sipas të dhënave paraprake mjeko-ligjore, vdekja lidhet me arrest kardiak pas një edeme pulmonare. Megjithatë, analizat toksikologjike pritet të japin përgjigje më të qarta nëse ka pasur përdorim të substancave.

Dhimbja e familjes

Familjarët i dhanë lamtumirën e fundit 19-vjeçares mes një dhimbjeje të thellë. Babai i saj bëri një deklaratë prekëse, duke kërkuar drejtësi dhe duke hedhur dyshime për përfshirje më të gjerë në ngjarje.

Ai e përshkroi momentin si një tragjedi të dyfishtë, duke thënë se e kishte përgatitur vajzën si për ditë feste, por përfundoi duke e përcjellë për në varr.

Çfarë pritet

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet greke po analizojnë provat për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Vendimet e gjykatës pritet të përcaktojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarve në një nga rastet më të rënda të ditëve të fundit që ka tronditur opinionin publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related