Një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë u ka marrë jetën katër punëtorëve shqiptarë nga Kosova, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Ngjarja ndodhi pasditen e së martës në zonën e Alsergrundit, në rrugën Porzellangasse, ku gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje, skela dhe struktura mbajtëse u shembën papritur, duke zënë poshtë pesë punëtorët që ndodheshin mbi të.
Sipas autoriteteve dhe mediave austriake, pjesa e sapobetonuar u rrëzua në mënyrë të menjëhershme, duke i tërhequr punëtorët bashkë me strukturën dhe duke i mbuluar me beton dhe materiale ndërtimi.
Dëshmitarët përshkruan momente paniku, duke treguar se fillimisht u dëgjua një zhurmë e fortë, e ndjekur nga britmat e punëtorëve, ndërsa menjëherë më pas mbërritën shërbimet e emergjencës.
Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë dhe i rrezikshëm për shkak të terrenit të paqëndrueshëm dhe betonit të freskët. Mbi 100 efektivë të zjarrfikësve, policisë dhe shërbimit mjekësor u angazhuan në kërkime, duke punuar në disa raste edhe me mjete primitive për të nxjerrë të mbijetuarit.
Pas rreth një ore e gjysmë, ekipet arritën të shpëtonin një 45-vjeçar, i cili u dërgua në spital me plagë të rënda në kokë, fraktura dhe dëmtime serioze në shtyllën kurrizore.
Fatkeqësisht, katër punëtorët e tjerë nuk mundën të shpëtoheshin dhe humbën jetën nën rrënoja.
Një prej viktimave është identifikuar si Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, ndërsa ngushëllime për familjet e viktimave ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së strukturës, ndërsa tragjedia ka tronditur komunitetin shqiptar dhe më gjerë.
