Një aksident i rëndë detar ka ndodhur në brigjet e Omanit, ku një varkë turistike me 25 shtetas francezë në bord është përmbysur, duke shkaktuar humbjen e jetës së tre personave.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Mbretërore të Omanit, ngjarja ka ndodhur rreth 2.5 milje detare nga kryeqyteti Muskat. Tre turistë humbën jetën nga mbytja, ndërsa dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në varkë ndodheshin gjithashtu një guidë turistike dhe kapiteni i mjetit lundrues. Autoritetet lokale bënë me dije se ekipet e shpëtimit reaguan menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe arritën të evakuojnë pjesën tjetër të pasagjerëve.
Ngjarja ndodhi gjatë një udhëtimi drejt Ishujve Ad Dimaniyat, një destinacion shumë i njohur turistik, veçanërisht për zhytje dhe aktivitete detare, i cili ndodhet rreth 10 milje larg bregut të Muskatit.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë varkën e përmbysur duke notuar në ujë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijuan për disa orë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pritet të sqarohet nëse ngjarja lidhet me kushtet e motit, mbingarkesën apo probleme teknike të mjetit.
