Një tjetër skemë e ngjashme me atë të “5D Konstruksion” është zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, ku dy drejtorë të saj dhe një shefe sektori i jepnin tendera dhe kontrata qiraje një kompanie pas të cilëve dyshohet se janë vetë ata.

Çatri rezulton të ketë themeluar gjatë kohës që ishte drejtor në Bashkinë Tiranë kompaninë ‘Paysera Albania’ në bashkëpronësi me një ortak tjetër.
Shoqëria ka aktivitet në fushën e pagesave elektronike dhe këmbimit valutor. Ndër vite Çatri ka hapur dhe disa firma të tjera, ku njëra ushtron aktivitet në fushën e bar-kafeve dhe tjetra në shitjet e pasurive të patundshme.
I punësuar në kompaninë Paysera rezulton Fabjan Diçi, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të financës në këtë shoqëri.
Diçi vendos më pas që të bëhet vetë biznesmen, vetëm se suksesi i biznesit të tij tashmë do t’i dedikohej kontratave me bashkinë Tiranë e pikërisht me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.
“Me çfarë logjike mund të funksionojë që një zyrtar i shtetit shqiptar që disponon kompani me vlerë në miliona euro, shkon dhe punon për një rrogë 800 euro në muaj, duke humbur 8 orë të ditës produktive ku mund të ketë një prodhimtari shumë më të madhe në biznesin privat!? Kjo bëhet për të garantuar milionat e euros dhe për t’i shtuar dhe këtë model në Shqipëri, në Bashkinë Tiranë e ka futur Erjon Veliaj”, thotë drejtuesi politik për qarkun Tiranë në Partinë Demokratike Belind Këlliçi.
Lidhjet në këtë skemë bëhen përmes dy njerëzve të tij që janë të besuarit e Drejtores së Përgjithshme Erinda Fino: Redion Çatri, që është dhe pronari i Fabjan Diçit te kompania “Paysera Albania” dhe Vilma Diçit, bashkëshortes së Fabianit, e cila ka qenë e punësuar si shefe sektori në këtë agjenci.
Rezulton se në shtator të vitit 2021 është themeluar nga Sabri Osma kompania ‘Green Graphics Studio’ dhe është shitur në muajin dhjetor te Fabjan Diçi.
Diçi ka ndryshuar objektin e aktivitetit duke shtuar përveç studimeve dhe projektimeve në fushën e pyjeve, edhe shfrytëzimin, grumbullimin dhe tregtimin e prodhimeve pyjore jodrusore.
Menjëherë pas hapjes kompania ka gjeneruar që vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit 165 mijë euro të ardhura, të cilat janë gjashtëfishuar vitin e dytë të saj, 2023, në rreth 1 milion euro xhiro, falë dhe kontratave të marra nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Në vitin 2023, firmës i ndryshohet emri në “Trade and Construction Group” dhe fiton 6 tendera pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me vlerë totale 552 mijë euro me Tvsh.
Kontratat kanë objekte të ndryshme dhe kompania rezulton të mos ketë përvojë për ofrimin e këtyre shërbimeve, ndërsa në disa tendera mungon konkurrenca dhe i vetmi operator pjesëmarrës është “Trade and Construction Group”.
“Jo vetëm drejtorët e skemës 5D Konstruksion, por dhe drejtorë të tjerë, kanë gjetur një mekanizëm më të thjeshtë, nuk kanë pritur të marrin përqindje siç ka qënë rëndom korrupsioni në tendera, por kanë shkuar vetë te thelbi dhe e kanë marrë ata dhe kanë menaxhuar ata paranë publike për të kryer këto vepra publike”, thotë avokati Redi Ramaj.
