Një 15-vjeçar nga Postriba, Shkodër, ka humbur kontaktet me familjen që nga dita e martë, 11 nëntor. Babai i tij, Agim Bibaj, ka treguar se djali i tij u nis për në shkollë në mëngjes, por nuk u fut në mësim dhe u largua në drejtim të paditur. Prej asaj kohe, nuk është kthyer në shtëpi, çka ka alarmuar familjen. Pasditen e 11 nëntorit, babai ka bërë denoncim në policinë e Shkodrës për humbjen e kontaktit me të birin.
Policia është angazhuar menjëherë për të zbuluar vendndodhjen e 15-vjeçarit dhe shkakun e largimit të tij. Sipas babait, djali dyshon se largimi i tij ka të bëjë me një përplasje mes tij dhe prindërve, pasi në ditët e fundit ishte këshilluar nga babai të mos kishte sjellje të keqe, por nuk e kishte pranuar këtë këshillë dhe ia kishte shprehur vetëm shokëve të tij.
Agim Bibaj ka sqaruar se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj të birit, por vetëm i ka bërtitur duke i dhënë këshilla si çdo prind për të pasur një sjellje të mirë në shoqëri. Ai dyshon se këto këshilla mund të kenë irrituar djalin, duke e shtyrë të largohet nga shtëpia.
Babai i 15-vjeçarit ka bërë thirrje për çdo person që mund ta ketë parë djalin e tij, të njoftojë familjen apo policinë. Po ashtu, ai i ka bërë një apel edhe të birit, duke i thënë se e presin në shtëpi, te nëna, vëllezërit dhe motra. “Djalin e kam nisur për shkollë dhe kam shkuar në punë herët. Nusja më tha se ai nuk ka ardhur akoma në shtëpi, prandaj shkova menjëherë në polici. I bëj thirrje kushdo që mund ta ketë parë, të më lajmërojë. I them djalit të vijë në shtëpi, te nëna dhe baba, ka dy vëllezër dhe motrën që po e presin,” tha Agim Bibaj, me lot në sy.
Pas denoncimit të bërë nga familja, forcat e policisë dhe familjarët e 15-vjeçarit në Postribë janë angazhuar për gjetjen e tij.
