Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”, me objektiv kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Gjatë operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat homologe të Komisariatit të Policisë Shkodër, arrestuan shtetasin T. B., 39 vjeç, banues në Shkodër. Ndaj tij, Gjykata e Durrësit kishte caktuar më 31 korrik 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u kap edhe shtetasi A. K., 31 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur për veprën penale “Mashtrim”.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
