Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Vorë, vendosi theksin tek objektivi strategjik i integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si sfidën më të rëndësishme për vendin.
Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu, Balla deklaroi se synimi “Shqipëria 2030 në BE” përfaqëson një moment historik për të mbyllur kapituj të rëndësishëm të së shkuarës dhe për të garantuar të ardhmen europiane të vendit.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë realizimit të këtij objektivi, duke lidhur integrimin europian me përmirësimin konkret të jetës së qytetarëve. Sipas Ballës, zhvillimi ekonomik, rritja e të ardhurave dhe sektori i turizmit kanë krijuar më shumë mundësi për investime dhe mirëqenie.
Gjatë fjalës së tij, Balla u ndal edhe te procesi i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke bërë të ditur se shumica e projekteve në Vorë janë drejt përfundimit.
“90% e procesit të rindërtimit në Vorë ka përfunduar dhe shumë shpejt do të përmbyllet plotësisht për të gjitha familjet përfituese”, u shpreh ai.
Në përfundim, Balla theksoi se arritja e objektivit për anëtarësim në Bashkimin Europian kërkon bashkëpunim të gjerë dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe mbështetjen e qytetarëve.
