Në 27 vjet karrierë politike, Edi Rama e ka sofistikuar përdorimin e grave dhe vajzave si fasadë të progresit duke e shndërruar në një dekor propagandistik, që e prezanton Partinë Socialiste nën petkun e një force politike, që respekton thellësisht barazinë gjinore. Por realiteti ndonjëherë është më kokëfortë dhe e nxjerr në pah, atë që retorika politike e anashkalon me qëllim.
Edhe këtë të enjte, në të njëjtën ditë që opozita nisi zyrtarisht fushatën zgjedhore, Rama u përpoq të ndërtojë një kundërimazh politik, kur bëri bashkë gra dhe vajza socialiste në një aktivitet, ku siç pritej, ai ishte në qendër të vëmëndjes.
“Sot Kuvendi drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetër grua socialiste. Jam i bindur që nuk është aq e largët dita sa mund të dukej deri dje, kur Shqipëria do të ketë edhe gruan e parë kryeministre” u shpreh Rama.
Në fjalim nuk mungoi edhe një metaforë që kapi shpejt titujt e mediave, edhe pse tingëlloi si një klishe boshe e fushatës: “Shqipëria është grua! Europa është grua dhe suksesi për Shqipërinë 2030 varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë” tha ai.
Por ndërsa fliste për fuqinë e grave, në panelin përkrah tij, dy gra – që përfaqësojnë më shumë sistemin se gjininë – nuk binin shumë në sy sepse u kishin caktuar një karrige jo aq të përshtatshme për detyrat e rëndësishme që kanë mbajtur mbi supe. Klotilda Bushka dhe Olta Xhaçka, dy figura me një karrierë të pasur në aparatin shtetëror, të dyja deputete të Partisë Socialiste.
