Deputetja e PD Jorida Tabaku ka deklaruar se mandarina, simbol i fundvitit për shqiptarët, është përballur me një tjetër pengesë serioze në rrugën drejt eksportit.
Sipas deputetes Jorida Tabaku, ky është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar sektorin e bujqësisë dhe për të garantuar standardet bazë të sigurisë ushqimore.
Ajo theksoi se fondet për sigurinë ushqimore janë ulur me 145 milionë lekë vetëm në shtator të vitit të kaluar, duke krijuar një boshllëk të madh në kontrollin e produkteve bujqësore që konsumohen brenda dhe eksportohen jashtë vendit.
“Siguria ushqimore mungon, kontrolli mungon dhe fondet e bujqësisë janë zvogëluar ndjeshëm. Si pasojë, kemi produkte që nuk shiten në tregjet evropiane, jo vetëm për shkak të mungesës së kontrollit, por edhe për shkak të dështimit të politikave të qeverisë,” u shpreh Tabaku në një video mesazh.
Ajo shtoi se ulja e fondeve për bujqësinë dhe dështimi i skemave mbështetëse, si ajo e TVSH-së dhe fondet IPARD, kanë bërë që produktet shqiptare të mos konkurrojnë në tregje ndërkombëtare. Tabaku e konsideroi këtë situatë si pasojë direkte të korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e fondeve shtetërore.
“Mandarina, një nga frutat më të dashur për shqiptarët në fund të vitit, po bllokohet përsëri në pikat kufitare kur tentohet eksporti i saj. Arsyeja? Përdorimi i pesticideve të ndaluara, larg standardeve dhe normave të Bashkimit Evropian. Kjo ka dëmtuar cilësinë e produktit dhe ka mbyllur derën për eksportet shqiptare.
Ky problem është një njollë e keqe jo vetëm për eksportet, por edhe për sigurinë ushqimore në vend. Ajo që i hidhet këtyre produkteve, nga fusha deri në tryezën e shqiptarëve, nuk kontrollohet siç duhet. Për më tepër, buxheti për sigurinë ushqimore është ulur me 145 milionë lekë vetëm vitin e kaluar.
