Pavarësisht se ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin në sallën e koncerteve në Moskë, Rusia vazhdimisht ia ka hedhur fajin Ukrainës.
Më herët, Vladimir Putin tha se autorët ishin “islamikë radikalë”, por pretendoi se të shtënat ishin në një fushatë më të gjerë frikësimi nga Ukraina.
Ish-ambasadori i Uashingtonit në Moskë, Michael McFaul, tha se presidenti rus po luante “pak një lojë të rrezikshme” duke supozuar se njerëzit e tij do të vazhdojnë të pranojnë “informacionet e rreme”.
“Putini po humbet besueshmërinë në këtë rast me mënyrën se si ai po përshkruan në mënyrë të rreme se kush ishte fajtori në këtë sulm terrorist,” tha ai për The World with Yalda Hakim.
Ai shtoi se është “jashtëzakonisht zhgënjyese” të shohësh Rusinë duke fajësuar Kievin, veçanërisht sepse nuk ka “asnjë provë faktike” për ta mbështetur atë.
“Pavarësisht provave të qarta se nuk ishte Ukraina dhe sigurisht jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Putini nuk është i gatshëm ta pranojë këtë fakt”, tha zoti McFaul.
