SPAK vijon hetimet për Belinda Ballukun, Braho: Imuniteti mund të vështirësojë hetimet

Data

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, komentoi çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndikimin që imuniteti parlamentar mund të ketë mbi hetimet penale.

Braho u shpreh se imuniteti nuk e pengon Prokurorinë e Posaçme të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura, por mungesa e mundësisë për të zbatuar masa sigurie mund t’i vështirësojë hetimet.

“Mungesa e një mase e vështirëson një hetim dhe mund ta dëmtojë atë, por ne jemi të detyruar t’i bindemi kuadrit ligjor,” deklaroi ai.

Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK për dyshime lidhur me procedura tenderimi, ndërsa sipas raportimeve publike hetimet janë zgjeruar edhe për pista të tjera, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. Deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimeve gjyqësore, çdo përgjegjësi penale mbetet e pretenduar.

Braho theksoi se hetimet e SPAK bazohen në prova të mbledhura nga prokurorët dhe oficerët shqiptarë, duke hedhur poshtë pretendimet se dosjet vijnë të gatshme nga partnerët e huaj.

Gjatë raportimit, drejtuesi i SPAK ngriti gjithashtu shqetësimin për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Sipas tij, mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe ruajtjen e ekspertizës së krijuar në institucion.

Braho bëri të ditur se gjatë vitit 2025 SPAK ka hetuar 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë çështje të reja. Ai theksoi se është rritur numri i hetimeve të nisura kryesisht nga institucioni, duke e cilësuar këtë si tregues të një qasjeje më proaktive.

Sipas tij, SPAK ka përfunduar 216 procedime gjatë vitit 2025, ndërsa masa “arrest me burg” është përdorur më pak se një vit më parë, duke shënuar rënie krahasuar me vitin 2024.

Drejtuesi i SPAK vlerësoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfida kryesore, ndërsa grupet kriminale po përdorin forma gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë komunikime të enkriptuara, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related