Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur dje në ambientet e institucionit për t’i komunikuar akuzën edhe financieres, Andia Pustina për vepra penale ”pastrim parash” . Ajo dyshohet se ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe administrative për Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja gjatë ndërtimit mbi tokën e kompleksit “Partizani”. Andia Pustina u paraqit se bashku me avokaten Klodiana Gjyzari. Më herët u morën të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi. Ata akuzohen se kanë tjetërsuar pronat e ish-Klubit Partizani, duke shkelur një zinxhir të tërë ligjesh e procedurash, vetëm për t’ia kaluar të dyshuarit Jamarbër Malltezi.
Detajet
Në dosjen 500 faqe me prova, një prej akt akuzave më voluminoze ndonjëherë në Shqipëri, SPAK e akuzon Andia Pustinën dhe Studio Pustina se kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe administrative gjatë ndërtimit mbi tokën e kompleksit Partizani, duke tjetërsuar pronat dhe duke shkelur një zinxhir të tërë ligjesh e procedurash, vetëm për t’ia kaluar pronësinë dhe në fund fitimin disa milionësh Jamarbër Malltezit. E veç kryerjes së të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k, Andia dyshohet se ishte dhe një mikeshë e ngushtë e familjes Berisha dhe Malltezi. “Andia Pustina rezulton mikeshë e familjes Berisha dhe Malltezi, dhe madje edhe përpilon deklaratat e tyre DIVA dhe deklaratat e pasurisë për dorëzimin në ILDKPKI.”
Ndërsa motra e saj Laura Pustina, dyshohet se është personi që edhe përgatit kontrata të ndryshme apo akte në funksion të aktivitetit të zhvillimit të ndërtimeve por edhe të shoqërisë Homeplan sh.p.k., dhe rezulton të jetë e martuar me shtetasin Andi Toma, ku edhe ky i fundit, evidentohet gjatë pushtetit të shtetasit Sali Berisha të ketë mbajtur pozicione drejtuese si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Emri i këtij shtetasi shfaqet dhe në planin e veprimit për reformimin e kapaciteteve institucionale dhe shndërrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Ent Publik të miratuar me VKM nr 341 dt 27.02.2008, ku shtetasi Andi Toma evidentohet si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Ligjore Mbështetëse dhe i cituar si zyrtar i konsultuar”, thuhet ne faqen 202 te dosjes. Në Studio Pustina, SPAK sekuestroi dokumente që vërtetonin shkeljet, por edhe faktin se Malltezi ka marrë mijëra euro cash ndër vite, të gjitha të padeklaruara. Sekuestrimi i një laptopi në Studion Pustina u ankimua deri në Gjykatën të Lartë, e cila refuzoi kthimin.
Dëshmia
Ndërkohë referuar dëshmive që ka dhënë biznesmeni Fatmir Bektashi në SPAK, Pustina përgatiste dokumentacionin, qoftë në aspektin juridik ashtu edhe financiare për kompaninë. “Të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur Andia Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…”, ka deklaruar më parë Fatmir Bektashi. Megjithatë për sa më sipër, theksojmë dhe kujtojmë, se kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
