SPAK mbyll hetimet për inceneratorin e Tiranës, çon për gjykim 12 persona dhe iu komunikon akuzat, zbardhet…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) iu ka komunikuar akuzat 12 personave nën hetim për inceneratorin e Tiranës lidhur me masat e para që janë caktuar për këtë dosje në dhjetor të vitit të kaluar. Burime bëjnë me dije se akuzat janë komunikuar për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Hetimet kanë përfunduar vetëm për personat që kanë marrë pjesë në procedurat deri në lidhjen e kontratës koncesionare dhe komunikimi i akuzave është bërë për shkak ndodhen drejt përfundimit afatet hetimore për veprën penale për të cilën akuzohen.

Mes personave që iu është komunikuar akuza janë Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola dhe Jetmir Llapaj. Ndërkohë ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, ende nuk është bërë komunikimi i akuzës, për shkak se janë zbuluar gjatë hetimit fakte të reja që krijojnë dyshimin për korrupsion.

Një pjesë e tyre u arrestuan në datën 8 dhjetor të vitit 2023, ndërkohë që disa të tjerë patën masa më të buta sigurie. Në kërkim u shpallën Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Erjon Murataj. Akuzat fillestare ishin për korrupsion, mashtrim, pastrim të parave dhe shpërdorim detyre.

Hetimet

Ndërkohë kujtojmë se së fundmi për të njëjtën çështje u lëshuan 8 urdhër arreste, por asnjëri prej tyre nuk u ekzekutua, ndërsa një nga veprat penale që u akuzuan ishte ajo e grupit të strukturuar kriminal. Konkretisht Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi pak ditë më parë, se zbatimi i tetë urdhër arresteve të lëshuara prej Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kishte dështuar. Në një njoftim për shtyp, prokuroria bëri me dije se urdhër arrestet ishin lëshuar 12 korrik dhe në datën 15 korrik, policia kishte njoftuar se ekzekutimi i tyre ishte i pamundur.

“Nënvizojmë se, Policia e Shtetit më datë 15.07.2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm,” thuhet në njoftim. Urdhër arrestet u lëshuan për Dashamir Ymeraj, pronari i një kompanie fiktive të përfshirë në skemën e evazionit fiskal, Denisa Tollkuçin, një nga drejtueset e “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, Endrit Habilaj, drejtues i një kompanie mediatike, Renardo Nallbani, Ilir Dedja, administrator i disa kompanive në Zvicër dhe shtetasit e huaj të përfshirë në aferë, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. SPAK bën me dije se urdhër arrestet i përkasin një faze paraprake të hetimeve dhe se këto të fundit vazhdojnë. Prokuroria thotë se personat e përfshirë konsiderohen pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që nga gjetjet e prokurorisë deri në këtë fazë kishin pastruar 20 milionë euro.

“Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare, duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftim. SPAK identifikon në krye të grupit kriminal biznesmenët kontroversë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dy të shpallur në kërkim dhe të dënuar nga Gjykata e Posaçme në aferat e ndërtimit të inceneratorëve të Fierit dhe të Elbasanit. SPAK ka ngritur 4 akuza ndaj tetë personat për të cilat u lëshuan urdhër arreste dhe Mërtirit e Zotajt.

Prokuroria thotë se ata akuzohen për “Mashtrim”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.

Çfarë ka ndodhur?

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, të cilët u arrestuan dhe ndodhen në qeli. Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy inceneratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet. Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related