Janë zbardhur detaje të reja nga dosja e prokurorisë italiane lidhur me skandalin e shitjes së dplomave false nga Kolegji Universitar WISDOM në Itali. Në krye të skemës së mashtrimit janë dy administratorët e Kolegjit Universitar Wisdom në Tiranë, çifti i bashkëshortëve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano. Bashkë me ta janë vënë në pranga edhe disa shtetas të tjerë italian.
Për të marrë akreditimin e universitetit Wisdom, italianët shpërblyen shefen e Bordit të Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë me një çantë me vlerë gati 1200 euro të markës Luis Vuitton. Në dosje emri i saj është shkruar si Aquila Telhaj, por që nga një kërkim i thjeshtë në google rezulton të jetë Shqiponja Telhaj. ASCAL është një organ qeveritar, ndërsa Shqiponja Telhaj rezulton që të jetë zgjedhur me emërim direkt nga kryeministri Edi Rama. Telhaj ka pasur detyrën që të ndiqte të gjithë procedurën për akreditimin e Wisdom University.
