Në zonat pyjore të Bashkisë Shkodër, zjarret që u aktivizuan ditën e djeshme janë shuar plotësisht, duke krijuar lehtësim për komunitetin. Në kënetën e Domit, pjesë e zonës së mbrojtur Velipojë, nuk regjistrohen flakë — por vetëm tym, që nuk përbën rrezik për përhapje.
Megjithatë, në fshatin Xath të Njësisë Administrative Blerim, situata mbetet e trazuar. Operacionet për vënien nën kontroll të flakëve në zonat malore po vijojnë intensivisht, me mbështetjen e forcave të ushtrisë, strukturave vendore dhe komunitetit. Ka mbërritur edhe helikopteri për ndërhyrje ajrore, për të izoluar dhe shuar vatërat aktive, përballë një terreni mjaft të vështirë.
Në bashkinë Vau Dejës, Pukë dhe Malësi e Madhe nuk raportohet për asnjë problem nga emergjencat civile. Strukturat e Emergjencave Civile dhe të Prefektit të Shkodrës janë angazhuar maksimalisht në terren për koordinimin e aksionit me bashkitë, ushtrinë dhe ndërhyrjen ajrore.
