Kryeministri hungarez Viktor Orban zbarkoi në Gjeorgji pasi uroi partinë qeverisëse të vendit Ëndrra Gjeorgjiane (GD) për një “fitore bindëse” në zgjedhjet parlamentare, pavarësisht shqetësimeve të përhapura rreth frikësimit dhe presionit të votuesve. Orban po kryeson një delegacion të ministrave të tij të lartë për të takuar kryeministrin gjeorgjian Irakli Kobahidze në një vizitë dy-ditore që ka të ngjarë të zemërojë liderët e tjerë të Bashkimit Evropian ndërsa Hungaria mban presidencën e rradhës të BE-së. Orban “nuk përfaqëson Bashkimin Evropian” në vizitën e tij, tha shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell për radion publike spanjolle dje.
“Presidenti i rradhës nuk ka autoritet në politikën e jashtme,” shtoi ai, siç raportohet nga “The Guardian”. Në një deklaratë të lëshuar të dielën, të cilën ai e nënshkroi me Komisionin Evropian, Borrell shprehu shqetësimin për presionin dhe frikësimin e votuesve të raportuar gjatë zgjedhjeve të së shtunës. Qeveritë e Hungarisë dhe Gjeorgjisë janë afruar më shumë në vitet e fundit që kur Ëndrra Gjeorgjiane ka qenë në pushtet në Tbilisi. Të dy e përqendruan politikën e tyre në vlerat konservatore “të krishtera” dhe bënë thirrje për “paqe” në Ukrainë, duke shmangur çdo dënim të Rusisë.
Udhëheqësi hungarez mbërriti në Tbilisi ndërsa opozita mbajti një tubim proteste për të hënën mbrëma mbi rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i dhanë një goditje shpresave të anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE. Presidentja pro-evropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili tha se ajo nuk i njeh rezultatet dhe se vendi i saj është bërë viktimë e një “operacioni special rus”. Zurabishvili tha dje se GD fitoi vetëm 40 përqind të votave.
