Kur Donald Trump të betohet si presidenti i 47-të i SHBA-së, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë. Për rreth gjashtë orë, sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij do të hiqen nga rezidenca ekzekutive. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, rezidenca private do të shndërrohet në shtëpinë e presidentit të sapobetuar.
Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit – zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm.
“Si u pëlqen që të jetë e pajisur Zyra Ovale? Çfarë tapeti? Çfarë perdesh, çfarë tavoline, etj, sepse kjo është zona e parë që përgatitet“, thotë Angella Reid, ish-punonjëse në Shtëpinë e Bardhë.
Fotot tregojnë se Presidenti Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij.
Por duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat
