Një 40-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë e një grupi “skifterësh”, është arrestuar nga karabinierët në rajonin e Torinos, pasi u ndjek dhe u dhunua rëndë nga banorët e Arnad, Aostë, pas një grabitjeje në një banesë.
U kap me sende të vjedhura me vlerë rreth 5 mijë euro
Sipas mediave italiane, shqiptari kishte marrë bizhuteri floriri, para dhe sende me vlerë, me një total rreth 5 mijë euro. Gjatë arratisjes, ai u ndoq nga banorët, të cilët arritën ta kapnin dhe ta godisnin, madje edhe me një kazmë.
Kur karabinierët mbërritën, e gjetën shqiptarin të shtrirë dhe në gjendje të rëndë. Mjekët konstatuan:
- frakturë në legen,
- lëndime të shumta në trup,
- plagë që kërkojnë të paktën një muaj shërim.
Qep gojën në Gjykatë – foli vetëm një fjali
Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Aosta, 40-vjeçari refuzoi të dëshmonte, duke ushtruar të drejtën për të heshtur. Kur u pyet për profesionin, tha vetëm:
“Jam kuzhinier në Shqipëri.”
Gjykata vendosi që ai të qëndrojë në burg, ku do të transferohet sapo të dalë nga spitali. Gjykimi i shpejtë është caktuar për datën 19 dhjetor.
Çfarë dënimi rrezikon?
Akuza zyrtare është vjedhje e rëndë, e cila në Itali dënohet me:
4 deri në 7 vite burg.
Megjithatë, duke qenë se shqiptari është pa precedentë penal, ai mund të përfitojë:
- ulje dënimi nën kufirin minimal,
- arrest shtëpie,
- ndalim qëndrimi në Luginën e Aostës.
Dy bashkëpunëtorët shpëtuan
Autoritetet dyshojnë se ai nuk ka vepruar vetëm. Të paktën dy persona të tjerë mendohet të kenë qenë bashkë me të, por ata kanë arritur të arratisen. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e tyre.
Policia kërkon edhe qytetarët që e goditën
Përveç bashkëpunëtorëve, policia po heton edhe tre banorë që e sulmuan shqiptarin me kazmë dhe e plagosën rëndë. Edhe ata rrezikojnë ndjekje penale për dhunë të paligjshme.
