Në periudhën janar-shkurt 2025, sipas drejtuesve të supermarketeve, distributorëve të artikujve ushqimorë dhe përpunuesve, kërkesa për produktet e shportës ushqimore është më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Por si importuesit e mallrave ushqimore dhe prodhuesit janë në “luftë” për të ofruar çmime sa më të lira, pasi qasja e konsumatorit është për shpenzime të kujdesshme, madje duke u orientuar drejt produkteve me çmime më të lira.
Elona Koshi, CEO e rrjetit të supermarketeve “Big Market”, tha për “Monitor” se gjatë periudhës janar-shkurt 2025, kërkesa për produktet bazë të shportës ka pësuar luhatje të moderuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në përgjithësi, edhe pse në vlerë, konsumi ka shënuar rënie, rritja e numrit të produkteve të shitura sipas zonjës Koshi sugjeron një konsum të vazhdueshëm, por me një qasje më të kujdesshme nga ana e blerësve.
“Në muajin janar, kategoria ushqimore shënoi rënie në vlerë prej 5.4%, ndërkohë që numri i produkteve të shitura u rrit me 5.2%, duke treguar një zhvendosje të konsumatorëve drejt produkteve me çmim më të ulët ose blerjeve më të fragmentuara. Një tendencë e ngjashme u vu re edhe në sektorin e banakut, me një ulje në vlerë prej 1.3%, por një rritje të vogël të numrit të artikujve të shitur me 0.5%.
