Shqipëria prezanton potencialin turistik në ITB Berlin 2026

Data

Shqipëria po prezanton potencialin e saj turistik në panairin ndërkombëtar ITB Berlin 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së turizmit në botë. Pjesëmarrja në këtë event synon të promovojë vendin dhe ta pozicionojë atë si një destinacion dinamik dhe tërheqës për turistët ndërkombëtarë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se Shqipëria paraqitet në këtë panair me një qasje të qartë strategjike dhe me një narrativë të konsoliduar destinacioni, duke u pozicionuar si një nga tregjet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë.

“Nën konceptin ‘Albania All Senses’, sjellim një ofertë të strukturuar që i përgjigjet trendeve globale të turizmit, si qëndrueshmëria, përvojat autentike, produktet premium dhe diversifikimi sezonal. Synojmë forcimin e partneriteteve B2B, zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rritjen e prezencës në tregjet prioritare”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Në panairin ITB Berlin, Shqipëria përfaqësohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, 30 turoperatorë shqiptarë dhe bashkitë Tiranë, Durrës, Pogradec, Vlorë, Sarandë dhe Korçë.

Sipas ministrit Gonxhja, qëllimi i këtij përfaqësimi është prezantimi i pasurive natyrore, trashëgimisë kulturore dhe potencialit turistik të vendit, duke ofruar për partnerët ndërkombëtarë një panoramë të plotë të përvojave autentike që Shqipëria ofron gjatë gjithë vitit.

Stenda shqiptare në ITB Berlin është konceptuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për të ofruar një eksperiencë që ndërthur inovacionin, kulturën, bukuritë natyrore dhe përvojat lokale. Në të marrin pjesë disa bashki, turoperatorë dhe biznese shqiptare që synojnë të promovojnë Shqipërinë në tregun ndërkombëtar të turizmit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related