Kosova dhe Shqipëria, dy shtete të të njëjtit komb, nuk i kanë shfrytëzuar potencialet e burimeve natyrore dhe popullsinë e re në moshë për të rritur përfitimet ekonomike.
Në vend që të rritet, popullata shqiptare në rajon është reduktuar dhe është plakur teksa në aspektin ekonomik, konvergjenca me Rajonin ka mbetur e pandryshuar gjatë 10 viteve të fundit. Qeveritë e dy vendeve, me politikat e tyre, nxitën emigrim masiv të popullatës, duke dështuar të krijojnë mundësi sidomos për të rinjtë.
Ekonomitë e dy shteteve bazohen në një model që nuk gjeneron punësim me vlerë të lartë dhe nuk kanë mundur të integrohen në zinxhirët e industrisë si Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ishte rreth 80,5 miliardë euro në vitin 2013, sipas të dhënave nga institucionet financiare ndërkombëtare FMN dhe BB.
Shqipëria dhe Kosova së bashku e kishin PBB-në 19,2 miliardë euro në vitin 2013, vlerë kjo sa 23.8% e PBB-së së Rajonit. Sipas projeksioneve, PBB-ja e Rajonit pritet të arrijë në 135.3 miliardë euro më 2024, teksa ekonomitë tona të dyja së bashku pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit.
Përgjithësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të popullsisë që kur u shemb regjimi komunist në vitin 1990. Gjatë dekadës së fundit, popullata shqiptare e dy shteteve ka pësuar rënie të fortë për shkak të uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë, por këto fenomene kanë qenë më të dukshme në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë që popullsia e dy vendeve të pësojë rënie me 15% dhe 12% secila ndërmjet 2011 dhe 2024.
Shqipëria dhe Kosova gjithashtu janë të integruara më pak në zinxhirin e vlerës së tregut global, duke qenë se sektori i bujqësisë dominon dy ekonomitë dhe sektorët e industrisë ku ofrohen paga më të larta janë më pak të pranishme se në rajon.
PBB, gara Shqipëria-Kosovë
Kosova përjetoi në 1998 një nga luftërat më të përgjakshme në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Shqipëria doli shumë e varfër nga rrëzimi i një prej regjimeve diktatoriale më të egra. Falimenti i firmave piramidale në vitin 1997 e vështirësoi edhe më tej situatën, pasi një shumicë e madhe familjesh humbën të gjithë kursimet e jetës në këto skema.
Me liberalizimin e tregtisë, të ardhurat nga emigracioni dhe zhvillimi i industrive që kërkonin krah pune, PBB-ja e Shqipërisë shënoi në vitin 2023 mbi 2,3 trilionë lekë (22 miliardë euro). Ky rezultat është 70% më i lartë se në vitin 2013, kur PBB-ja e vendit ishte 1,3 trilionë lekë.
Ekonomia e Kosovës në vitin 2023 arriti një vlerë të PBB-së 9,76 miliardë euro, me rritje 91% në krahasim me vitin 2013, kur përllogaritej 5 miliardë euro.
PBB e përbashkët Shqipëri – Kosovë zë 33% të ekonomisë së rajonit. Serbia në vitin 2024 pritet të ketë një PBB prej 62 miliardë eurosh, që përbën 45% të PBB-së totale të Rajonit.
Struktura e ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dominohet nga në tre sektorë kryesorë, bujqësia, industria dhe shërbimet. Këta sektorë kanë ndryshuar gjatë viteve, pasi shumica e një pjese të vendeve kanë kaluar nga ekonomitë bujqësore në ekonomi më të orientuara nga shërbimet dhe industrisë.
Vetëm në Shqipëri, struktura e ekonomisë dominohet nga bujqësia, e cila në vitin 2022 zuri 18% të PBB-së. Në Kosovë, bujqësia zë 7% të PBB-së, ndërsa në dy vende të tjera, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, bujqësia zë më pak se 7% të PBB-së dhe në Bosnjë është më pak se 5%.
Në vendet e BE-së, bujqësia zuri më pak se 2.5% të PBB-së më 2022. Zhvillimet e sektorit të bujqësisë janë paradoksale për Shqipërinë, pasi është sektori më i madh në ekonomi, teksa nevojat e konsumit të vendit plotësohen nga importet. Importet bujqësore janë tre herë më të larta se eksportet dhe janë zgjeruar më tej këtë vit.
Ekonomia e Shqipërisë dhe Kosovës ka varësi të lartë nga ndërtimi, i cili nuk sjell produktivitet në afat të gjatë.
Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT pas Shqipërisë vjen Kosova, ku ndërtimi zë rreth 10% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera, sektori zë 5-7% të PBB.
Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5,7% të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9% të ekonomisë, në Serbi 7% dhe në Kosovë, pak më shumë se 10%.
