140 deputetët e Kuvendi i Shqipërisë kanë përfituar mbi 7 milionë euro gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të publikuara.
Vetëm për paga janë shpenzuar mbi 453 milionë lekë, ose rreth 4.6 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e buxhetit është përdorur për shpërblime dhe rimbursime të ndryshme. Katër muajt e fundit të vitit rezultojnë me shpenzimet më të larta për pagat e deputetëve.
Nga totali i buxhetit të Kuvendit, 54% ka shkuar për paga, ndërsa rreth 24% është përdorur për udhëtimet jashtë vendit. Shpenzime të tjera përfshijnë pagesa për pjesëmarrje në komisione parlamentare, telefoninë, qiratë dhe akomodimin në hotele.
Në maj të vitit 2025, Kuvendi miratoi rritjen e pagave për zyrtarët e lartë shtetërorë. Paga e deputetëve u dyfishua, duke arritur në rreth 310 mijë lekë bruto në muaj, ndërsa paga e ministrave shkoi në afro 319 mijë lekë.
Paga e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit u rrit në rreth 400 mijë lekë, ndërsa ajo e Presidentit arriti në 425 mijë lekë, duke mbetur më e larta në hierarkinë shtetërore.
Megjithatë, të ardhurat mujore të deputetëve shpesh tejkalojnë këto shifra, për shkak të dietave, pagesave për karburant, telefon dhe përfshirjes në komisione, duke arritur deri në rreth 500 mijë lekë në muaj.
Këto të dhëna kanë nxitur debat publik mbi nivelin e shpenzimeve dhe përfitimeve të përfaqësuesve të zgjedhur, në raport me standardin ekonomik të vendit.
