Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza” në Kombinat, për të vitin dytë radhazi do të zhvillojnë mësimin me turne në shkollën “Lasgush Poradeci”, pasi një projekt rikonstruksioni i financuar nga Bashkia e Tiranës, i cili duhet të ishte drejt përfundimit, ende nuk ka nisur zbatimin.
Pak ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj, në një takim me administratorët e shkollave publike, përmendi edhe rastin e “Shyqyri Pezës”.
Ai e ceku shkarazi, duke deklaruar se shkolla po rikonstruktohet dhe është gjetur mirëkuptimi me prindërit e nxënësve që të përballojnë sfidën e mësimit me turne në një shkollë tjetër, derisa të përfundojnë punimet në objekt.
Ermonda, nëna e një djali në klasë të shtatë në shkollën “Shyqyri Peza” deklaron për “Boldnews.al” se as Veliaj, as administrata lokale, por edhe as drejtoria e shkollës nuk kanë kërkuar mirëkuptimin e prindërve.
“Kur e kanë kërkuar këtë mirëkuptim?!”- shprehet ajo dyshuese dhe ironizuese. “Ne, prindërve, as nuk na lejojnë të hyjmë në oborrin e shkollës, për të parë nëse kanë nisur punimet apo jo”, shprehet zonja.
