Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të paraqitet fillimisht me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa nga orët e mesditës priten kthjellime të pjesshme me alternime vranësirash kalimtare.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit gjatë orëve të para të ditës dhe deri në mëngjes. Më pas, reshjet do të humbasin gradualisht intensitetin dhe do të mbeten të pranishme kryesisht në zonat juglindore me intensitet të dobët.
Në zonën e Alpeve, në verilindje mbi 100 metra dhe në juglindje mbi 200–300 metra mbi nivelin e detit, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në pjesën tjetër të vendit do të ketë reshje lokale bore me intensitet të dobët. Pas orëve të pasdites, reshjet e shiut dhe dëborës do të ndërpriten në të gjithë territorin.
Do të ketë mjegull dhe mjegullinë, me shikim të reduktuar për shkak të reshjeve. Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–verilindje me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë deri në 18 m/s. Temperaturat minimale zbresin deri në -3°C, kryesisht në zonat malore.
