Shërbimet sekrete i dorëzuan Edi Ramës dosjen me video, foto dhe përgjime të një ministri që është takuar me…

Data

Dikur ishte një ndër tokat më djerrë dhe jomikpritëse në planet. Sot është shndërruar në një metropol ekstravagant ku policia drejton Lamborghini e Buggati. Me qiellgërvishtës spektakolarë e me stil luksoz jetese. Po flasim për Dubain, një nga 7 emiratet Arabe. Një vend që tashmë ka një histori të lidhur pazgjidhshmërisht me globalizimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një histori, pjesë e të cilës janë edhe shqiptarët. Nga një bazë të dhënash, që u publikua në vitin 2020, u zbuluan emrat e shumë personave që “fshihen” në Dubai. Kjo bazë të dhënash që rrodhi dhe u shpërnda gjerësisht në internet përmbante afro 800 mijë prona të 274 mijë individëve dhe kompanive private nga e gjithë bota. Pra, pronari mesatar atje, posedon më shumë se tri prona.

Në listën e publikuar, rezultoi që edhe 17 shtetas shqiptarë, kanë prona atje, konkretisht 19 të tilla. Baza e të dhënave përmban gjithashtu një numër të madh personash me precedentë penale, figura të krimit të organizuar, të arratisur nga ligjet e vendeve të tyre. Kjo shpjegon në një farë mënyre shkallën, në të cilën Dubai është kthyer në një strehë për personazhet e dyshimtë. Ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar një zhvillim të rëndësishëm dhe të ndjeshëm për politikën shqiptare. Mësohet se shërbimet sekrete kanë dorëzuar një dosje të rëndësishme në duar të kryeministrit Edi Rama.

Kjo dosje përmban prova të rëndësishme që përfshijnë video, foto dhe përgjime të një ministri të lartë që dyshohet se ka patur takime me individë të lidhur me botën e krimit në Dubai. Ky informacion, i cili është mbajtur sekret deri më tani, ka shkaktuar një valë shqetësimi dhe spekulacionesh për lidhjet dhe ndikimin e mundshëm të krimit të organizuar në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare. Dosja ka interes të madh dhe pritet që të ketë pasoja të mëdha në skenën politike dhe institucionale të vendit. Pra kjo tregon se jemi përballë një situate ku shtetit dhe krimi jetojnë në simbiozë me njëri-tjetrin.

Detajet

Nga ana tjetër, vlen të theksojmë se mungesa e transparencës, rregulloret e lehta dhe mosinteresimi në dukje për origjinën e parave që zbarkojnë atje, e kanë bërë Dubain si një dyqan me një ndalesë ku të pasurit e botës mund të shmangin taksat, t’i shmangen sanksioneve, të pastrojnë paratë ose të fshehin pasuritë e tyre nga Policia. Në vitet 1990, të ardhurat nga nafta ranë dhe udhëheqja e Dubait filloi të kërkonte investime jashtë vendit. Gjeti rrugën në pasuri të paluajtshme, duke ndërtuar një sërë zhvillimesh të reja rezidenciale, ndërtesën më të lartë në botë dhe dy gadishuj artificialë në formë palmash.

Që atëherë, zhvillimi i pasurive të paluajtshme ka qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për Emiratin, duke tërhequr kapital të huaj dhe njerëz të pasur nga e gjithë bota. Sot, Dubai ka 3 milionë banorë, por vetëm 500 mijë janë shtetas të Emirateve. Ekonominë e ka ndërtuar rreth të qenit një shtëpi për emigrantët. Të dhënat dhe studimet ekzistuese konfirmojnë se në vendin arab, shumë drejtues të grupeve të krimit të organizuar, apo edhe kapo të mafias bëjnë biznes dhe investojnë në ekonominë e tyre legale.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë krim të organizuar autokton, megjithatë ka mafian italiane, me prezencë të vërtetuar nga arrestimet e shumta të anëtarëve të “Ndrangheta” dhe “Camorra”. Atje ka përfaqësues organizatash kriminale pothuajse nga të gjitha vende. E sigurisht që ka edhe nga Shqipëria. Të kërkuar ose jo, të dënuar apo thjeshtë në hetim, tashmë është fakt që edhe kokat e krimit të organizuar shqiptar, apo edhe korrierë të tyre kanë gjetur strehim atje.

Pamundësi Ekstradimi

Emiratet e Bashkuara Arabe ku bën pjesë edhe Dubai, janë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar, por për ekstradimin e personave të kërkuar, pa pasur një marrëveshje, mund të veprohet vetëm me reciprocitet. Pra, që një person i kërkuar nga drejtësia shqiptare, të vijë nga Dubai në Shqipëri, duhet që në këmbim, autoritetet tona t’i dorëzojnë Emirateve të Bashkuara Arabe një të kërkuar për llogari të drejtësisë së tyre. Por nga ana tjetër shqiptarët e kërkuar në vendin tonë, të cilët strehohen në Dubai, atje jetojnë të lirë, për aq kohë sa nuk përfshihen në krime të dhunshme apo përplasje mes bandave, pasi ligjet janë shumë të ashpra dhe mund t’u rrezikohet qëndrimi.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë një traktat ekstradimi me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara, apo shumë vende të tjera. Në praktikë, kjo do të thotë që të kërkuarit si të dyshuar për krime të rënda mund të fshihen në Dubai për të shmangur përballjen me drejtësinë. Por në një vend ku mblidhen kriminelë nga e gjithë bota, mblidhen edhe oficerë të agjencive ligjzbatuese nga e gjithë bota. Në jo pak raste janë kryer edhe operacione të rëndësishme atje, duke bashkëpunuar me Policinë vendase. Megjithatë ngërçi qëndron tek ekstradimi. Ashtu sikurse edhe me Shqipërinë.

Ekstradimi i shqiptarëve të inkriminuar që gjejnë strehë në Dubai, në mungesë të një marrëveshjeje ekstradimi, ka qenë në qendër të bisedimeve gjatë takimit që ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi në Lion të Francës më 13 nëntor të vitit 2023, me sekretarin e përgjithshëm të Interpolit. Gjatë takimit, Balla evidentoi listën e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare për krime të rënda të cilët fshihen prej vitesh, në Emiratet e Bashkuara apo në Amerikën Latine, ndaj të cilëve së bashku me Interpol kërkon t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Sipas Ballës, ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë duhet të realizohet sa më shpejt. Ndërsa më 9 shkurt 2024, pas një takimi që zhvilloi në Policinë së Dibrës, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se Shqipëria i ka dorëzuar Emirateve të Bashkuara Arabe draft-marrëveshjen për ekstradimin e personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare.

Duke komentuar arrestimin e fundit në Dubai, që ishte ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, Balla u shpreh optimist për të finalizuar operacionin për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. “I është dorëzuar Emirateve të Bashkuara draft-marrëveshja që do të mundësojë ekstradimet. Shpresoj të kemi mundësi të nënshkruajmë një marrëveshje që të bëhet e mundur që çdo person i kërkuar nga drejtësia shqiptare të arrestohet dhe ekstradohet. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi kemi arritur të identifikojmë dhe ndalojmë një person të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptar”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related