Autoritetet serbe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa qarqe dhe dhjetëra vendbanime pas përhapjes së virusit të etheve afrikane të derrit, i cili ka prekur një numër të madh fermash në vend.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë së Serbisë, virusi është konfirmuar në shtatë qarqe dhe 52 vendbanime. Ministri i Bujqësisë, Dragan Glamoçiq, bëri të ditur se raste të reja janë regjistruar edhe në Bezdan, pranë kufirit me Kroacinë, si dhe në disa zona të Qarkut të Baçkës Jugore.
Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa njësi administrative, përfshirë Rumën, Obrenovacin, një pjesë të Sremska Mitrovicës dhe Shabacin. Gjatë një mbledhjeje emergjente, ministri paralajmëroi masa ndaj rasteve të asgjësimit të papërshtatshëm të kafshëve të ngordhura, duke e cilësuar këtë praktikë si rrezik për shëndetin e kafshëve dhe mjedisin.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 28 mijë derra kanë ngordhur ose janë asgjësuar që nga shpërthimi i virusit, ndërsa për disa ferma janë vendosur kufizime të përkohshme për mbarështimin. Institucionet përgjegjëse po bashkëpunojnë me autoritetet vendore, shërbimet veterinare, policinë dhe ushtrinë për zbatimin e masave të kontrollit dhe parandalimit.
Ministria e Bujqësisë u ka bërë thirrje fermerëve dhe autoriteteve lokale të zbatojnë me rigorozitet masat e biosigurisë, përfshirë dezinfektimin dhe asgjësimin e sigurt të kafshëve të infektuara, me synim frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Sipas autoriteteve serbe, ethet afrikane të derrit nuk përbëjnë rrezik për shëndetin e njerëzve, por janë një sëmundje shumë ngjitëse dhe me shkallë të lartë vdekshmërie për derrat, duke shkaktuar pasoja të konsiderueshme për sektorin e blegtorisë.
