Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar procesin zgjedhor për drejtimin e partisë, duke argumentuar pse gara po zhvillohet me një kandidat të vetëm.
Gjatë një takimi me mbështetës në Dibër, ai deklaroi se zgjedhjet në PD po zhvillohen sipas parimit “një anëtar, një votë”, por theksoi se kandidatët duhet të plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e garës.
Berisha u ndal te kandidatura e Mereme Sela, të cilën e cilësoi si të vetmen që vjen nga radhët e Partisë Demokratike. Megjithatë, ai tha se rezultatet e mëparshme të saj në garë, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar një kandidim për drejtimin e partisë.
Sipas Berishës, përfshirja e kandidatëve që nuk kanë mbështetje të gjerë do ta bënte procesin “qesharak” dhe do të dëmtonte seriozitetin e garës.
Ai shtoi gjithashtu se kandidaturat e tjera nuk janë marrë në konsideratë pasi nuk janë pjesë e strukturave të PD-së ose nuk përmbushin kriteret statutore.
Në këtë mënyrë, zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike pritet të zhvillohen pa rivalë, me Sali Berisha si kandidat i vetëm për një mandat të ri.
