Kryetari i bashkisë së Puka, Rrok Dodaj, ka reaguar pas incidentit ku nuk u lejua të marrë pjesë në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët.
Në një sqarim publik, Dodaj e cilësoi situatën si një “keqkuptim teknik”, duke shpjeguar se emri i tij nuk figuronte në listën përfundimtare të pjesëmarrësve, pavarësisht se kishte marrë një njoftim paraprak për pjesëmarrje.
Sipas tij, pas komunikimit me organizatorët, rezultoi se bëhej fjalë për një lapsus, pasi jo të gjithë kryetarët e bashkive ishin përfshirë në listën zyrtare të ftesave.
Dodaj theksoi se organizatorët i kërkuan ndjesë për situatën dhe madje i ofruan mundësinë për të hyrë në takim, por ai vendosi të tërhiqej në respekt të organizimit.
“Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe në një frymë korrekte e mirëkuptuese”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë element tjetër përtej një gabimi teknik.
Ngjarja ndodhi gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku kryeministri Rama mblodhi kryebashkiakët socialistë për të diskutuar prioritetet e qeverisjes vendore.
