Rritje e prurjeve në të gjithë lumenjtë, IGJEO jep alarmin: Ja zonat më të rrezikuara nga përmbytjet

Data

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka ngritur alarmin për rritje të prurjeve dhe niveleve të ujit në të gjithë lumenjtë e vendit gjatë ditës së sotme, si pasojë e reshjeve intensive të regjistruara një ditë më parë.

Sipas IGJEO-s, ekziston rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen gjithashtu përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve.

Llogaritjet hidrologjike tregojnë se sot pritet rritje e prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë, me rrezik të shtuar për përmbytje lokale në Ishëm, Erzen, Mat dhe Vjosë. Ndërkohë, sistemi Drin–Bunë dhe Liqeni i Shkodrës pritet të shënojnë rritje të niveleve, duke shtuar rrezikun e zgjerimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Parashikimet sinjalizojnë gjithashtu reshje dëbore në veri, lindje dhe juglindje të vendit, të cilat do të shoqërohen me ulje të ndjeshme të temperaturave. Ngricat mund të krijojnë probleme dhe vështirësi në qarkullimin rrugor, veçanërisht në zonat malore.

Gjatë ditës së sotme priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë kryesisht mesatare, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata. Në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperaturat parashikohen të luhaten nga 9–10°C në bregdet, 8–9°C në zonat e ulëta dhe -2 deri në 0°C në zonat malore, ndërsa era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në relievet e larta.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencave civile.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related