Çmimi i naftës në pikat e karburantit në Tiranë ka pësuar një tjetër rritje, duke arritur deri në 182 lekë për litër në disa operatorë të tregut.
Sipas një vëzhgimi në terren, rritja e çmimit është reflektuar në disa kompani të mëdha të tregtimit të karburanteve, si Kastrati, Bolv dhe Elda.
Në një pikë të kompanisë Kastrati pranë tregut të Medresesë në Tiranë, çmimi i naftës është rritur nga 175 lekë për litër në 182 lekë, duke shënuar një rritje prej 7 lekësh për litër.
Edhe në pikat e operatorit Elda është regjistruar rritje e çmimit. Nga 179 lekë për litër që tregtohej më herët, nafta është rritur në 182 lekë për litër, ose 3 lekë më shumë.
Rritje e ngjashme është vërejtur edhe në pikat e kompanisë Bolv, ku çmimi ka arritur gjithashtu në 182 lekë për litër.
Para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas ishte rreth 175 lekë për litër dhe kishte mbetur relativisht i qëndrueshëm që prej tetorit të vitit 2024.
Ndërkohë rritja e çmimeve është reflektuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent crude oil ka arritur rreth 88.9 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë që ishte para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme.
Operatorët raportojnë gjithashtu se çmimi i naftës së rafinuar është rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, duke kaluar nga rreth 700 dollarë për ton në rreth 900 dollarë për ton, ndërsa pas sulmeve ndaj rafinerisë Ras Tanura Refinery në Saudi Arabia, çmimi ka arritur deri në 1,150 dollarë për ton.
