Të dhënat e fundit nga tregu i punës tregojnë se bizneset kanë ezauruar pagën si mjet për të rekrutuar punonjës. Pritshmëritë për rritjen e pagave në maj u ulën në krahasim me janarin 2025. Të ardhurat e bizneseve po rriten më pak se shpenzimet për pagat dhe kostot e tjera në proceset e prodhimit. Pezullimi i planeve të zgjerimit, furnizimi me punonjës nga jashtë dhe investimet në teknologji po shikohen zi zgjidhje për të përballuar situatën. Të dhënat nga agjencitë private të punësimit tregojnë se kërkesat më të mëdha nga bizneset janë në sektorin e shitjeve, ndërsa 30% e kërkesave nga punëmarrësit janë për ekonomistë dhe inxhinierë
Presionet në tregun e punës janë shtuar më tej këtë vit, nga mungesat e fuqisë punëtore, zgjerimi e kërkesës nga jashtë për punonjës shqiptarë, por nga ana tjetër, bizneset po përdorin më pak pagën si mjet joshjeje.
Kërkesa vijon të jetë e lartë për punonjës në sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe ndërtimit, teksa bizneset po tregohen më të kujdesshme në ofertat e pagave.
“Tani presionet ‘më rrit pagën ose iki’ marrin përgjigjen ‘shumë mirë, ik’” – pohoi Erald Pashaj, i cili drejton EPPC Albania & Kosovo, një nga kompanitë më të mëdha të Konsulencës për Burimet Njerëzore.
Kjo sjellje e bizneseve ka frenuar dukshëm rritjen e pagave në sektorin privat në tremujorin e parë në krahasim me pritshmëritë e janarit 2025, tha ai. Edhe për periudhën në vijim, ritmet e rritjes së pagave në biznese do të frenohen.
