Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) e Edi Ramës me ushtaren e tij Mirlinda Karçanaj është një rast tipik i një skeme mafioze ku tenderimet qindra milionë euro lëvizin nëpër pak duar dhe të përfshirë janë qeveritarë, biznesmenë dhe kriminelë. Në skenën e AKSHI-t hyjnë dhe dalin figura të njohura për lidhjet me kryeministrin Edi Rama, me krimin dhe qarqe rreth e rrotull drejtoreshës së këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, ku me një të rënë të lapsit lëvizin qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë. Ky institucion është shndërruar në një rrjetë merimange, ku ndërthuren interesat ekonomike me ato kriminale. Nëse deri dje aty operonin disa kompani, prej kohësh ka hyrë dhe Ergys Agasi, i cili në një vit fitoi rreth 3 milionë euro me kompaninë e tij, ndërsa akuzohet se kontrollon AKSHI-n nëpërmjet lidhjeve familjare. Përmes kompanisë së tij “EA Solutions”, Z. Agasi, regjistroi fitime të pazakonta dhe dyshohet se përfiton nga tenderët e AKSHI. Ky emër ka dalë i lidhur me qarqe kriminale, të cilat e kanë shfrytëzuar si koordinatorin e tyre në lidhjet me Edi Ramën.
Rrëmbimi i Shimës me prapavijë mafioze
Megjithatë rrëmbimi misterioz i Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI-t), ka trazuar skenën politike dhe tregun e IT-së në Shqipëri. Në një errësirë të plotë, Shima u zhduk këtë javë për më shumë se dhjetë orë, ndërsa familja kërkonte me panik. Ngjarja nuk duket rastësore, pasi ajo përkon me një periudhë kolapsi të plotë të AKSHI-t. Prej fillimit të vitit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka qenë në kaos, me 72 milionë euro tendera të pa finalizuar. Vetëm 10 për qind e tyre ishin përfunduar, për shkak të ankimimeve të kompanive Advanced Business Solutions dhe Datalog. Në mënyrë befasuese, më 13 gusht, ABS u tërhoq nga të gjitha ankimimet, duke lënë të gjithë tregun e IT-së të habitur. Kjo lëvizje ngriti dyshime: a kishte arritur Gerond Meçe një marrëveshje për të rifituar aksesin në tenderat e AKSHI-t?
