Rihapja e hetimeve për masakrën e “21 Janarit” trazon politikën, dalin faktet tronditëse, ja si Sali Berisha dërgoi…

Data

Nuk ka më asnjë dilemë. Pasi Gjykata e Lartë vendosi që masakra e “21 janari” duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), kjo e fundit i ka regjistruar procedimin penal dhe pritet të zbardhë përgjegjësit që urdhëruan vrasjen e 4 personave të pafajshëm në bulevard gjatë protestës së opozitës së kohës para Kryeministrisë në vitin 2011.

Por rinisja e hetimeve nga SPAK për masakrën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm, pritet të trazojnë politikën, ndërkohë që deri sa të vinte ky moment, personat e akuzuar si të përfshirë në këtë dosje, kanë lëvizur çdo gurë për të penguar hetimet dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Njëri prej tyre është Sali Berisha, i cili gjatë kohës kur u vranë katër protestues ka qenë kryeministër i Shqipërisë.

Ndaj zotit Berisha janë hedhur akuza të forta që në disa momente ka tentuar që të blejë familjarët e të vrarëve gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011. Madje akuza të forta kanë artikuluar edhe familjarët e viktimave të “21 Janarit” dhe disa gazetarë.

“21 Janari”, flet Artan Hoxha

Fillimisht ka qenë gazetari i njohur, Artan Hoxha, i cili ka zbuluar detaje të reja në lidhje me hetimet e rihapura nga Prokuroria e Posaçme, për çështjen e “21 Janarit”. Teksa ishte i ftuar këtë fundjavë në një media, ai foli mbi një material nga protesta e 21 Janarit, ku tregoi se atë e ka parë vetëm familja e Aleks Nikës, i cili u vra në tubimin e para 13 viteve. Po ashtu, ai nënvizoi se materiali do t’i vendoset në dispozicion vetëm SPAK nëse do të kërkohet. “Kemi rënë dakord edhe me familjen që materialin e dorëzojmë vetëm në SPAK. Në momentin që do më thërrasë SPAK do e vë në dispozicion”, tha ai. Sipas tij, disa njerëz të tjerë kishin shkuar më parë në familjen e Nikës dhe i kishin thënë se një tjetër person u kishte vrarë djalin.

Gazetarit tha se personi në fjalë kishte qenë një i besuar i ish-kryeministrit Sali Berisha, por nuk ishte përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës. Më tej ai theksoi se “21 Janari nuk mund të hetohet për atë që ka ndodhur, por duhet një hetim shterues”. “Ata që kryen 21 Janarin ishin kujdesur të fshihnin provat. Pasi kam siguruar materialin e kam identifikuar nëse është origjinal. Për shkak të kontaktit me familjen e Aleks Nika, kisha një detyrim qoftë edhe moral që t’i shpjegoja babait të Aleksit që kishte një material të ri. Disa njerëz kishin shkuar më para në familjen Nika dhe i kishin treguar një foto të një personi tjetër, me detyrë komandant i rëndësishëm në gardë në 21 janar dhe u thanë djalin ua ka vrarë ky.

Kjo ishte e rrezikshme, sepse flasim për një familje me traditë dhe origjinë nga veriu. Kjo mund t’i shtynte drejt hakmarrjes nëse s’do kishte veprim nga drejtësia. U thashë që informacioni nuk ishte i vërtetë. Personi në fjalë ishte njeri i besuar i Berishës, por nuk kishte lidhje. Unë dhe familjarët e Aleksit kemi folur në Prokurorinë e Tiranës dhe nuk kam pasur asnjë moment besim te prokuroria. Ndaj nuk e kam dorëzuar materialin. Kemi rënë dakord edhe me familjen që materialin e dorëzojmë vetëm në SPAK. Në momentin që do më thërrasë SPAK do e vë në dispozicion. 21 Janari nuk mund të hetohet për atë që ka ndodhur, por duhet një hetim shterues”, nënvizoi Hoxha.

“21 Janari”, flet Adriatik Doçi

Sakaq edhe gazetar i njohur, Adriatik Doçi, teksa ka komentuar në një emision televiziv zhvillimet për “21 Janarin”, theksoi se ka një element tjetër që nuk është hetuar më 21 Janar 2011 që sipas tij, është fakti se Sali Berisha është përpjekur për të blerë familjen e Hekuran Dedës, pas vrasjes së tij. Sipas Doçit, u janë çuar para që të pranonin Berishën në mort dhe të akuzonin Ramën për vrasjet në Bulevard. “Natën e 21 janarit pasi janë bërë vrasjet ka pasur ndërhyrje të paligjshme në serverin e kryeministrisë ku janë fshirë të gjitha pamjet filmike, fshirja e pamjeve filmike është konfirmuar edhe nga një mesazh i koduar i Berishës i cili ka thënë se kam urdhëruar sekretarin e Përgjithshëm që ti vendosë në dispozicion prokurorisë pamjet, por mesnatën e 21 janarit ishin fshirë pamjet filmike.

Kemi një element tjetër që nuk janë hetuar kemi përpjekjet e Sali Berishës për të blerë familjen Deda pas vrasjes. I ka çuar badigardi një çantë me para për ta pranuar Sali Berishën në mort dhe për të akuzuar Edi Ramën për vrasjet në Bulevard, kjo është një tjetër përpjekje shumë e rëndë dhe kriminale për të mbuluar vrasjet, fshehja e pamjeve filmike, refuzimi i 2 prokurorëve epë hyrë në oborrin e kryeministrisë. S’janë lejuar prokurorët të mbledhin gëzhojat, sepse do të fshiheshin provat”, deklaroi Doçi.

Ja çfarë thoshte vëllai i Hekuran Dedes

Ndërkohë akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ka hedhur edhe vëllai i Hekuran Dedës, vrarë më 21 janar 2011. Sabit Deda ka treguar se si Fatos Skeja, shofer i familjes Berishës dhe gardisti që shfaqet në disa afera e skandale, ka ofruar para dhe foton e vrasësit të vëllait të tyre. “Pas tre ditësh (pas ngjarjeve të 21 janarit 2011) ka ardhë dikush në 12 të natës, na tha se dinte kush e ka vrarë Hekuranin. E njihte vëllain tim se kishte pi një kafe. Na thanë pranojë Salinë të vijë nesër. Ne do ta gjejmë njeriun që e ka vrarë Hekurani. Do ta sjellim foton dhe do e shifni sa ndihmë ka me ju dhënë (Berisha). I thashë nuk dua ndihmë lekësh. Ndihma e tij është që kjo na vrau vllain. S’du ndihmë lekësh i thashë do të rri fukara kështu sikur jam.

Mori një shok në telefon, më tha do vij me filanin të pijmë kafe. I thashë mirëse të vijnë. Unë nuk e dijsha për çfarë arsyesh do të vinin. Kur erdhën këtu, gjatë muhabetit më tha. Kan ardh në shpi. Kemi ndenjë gati dy orë këtu. Kam qen un, baba, nona, vlleznit. Ai kishte ardhur me urdhën, jo se është nga zona jonë, se nga zona do vinte ditën, jo natën. Ai kishte ardh me urdhën të dikujt natën që të mos shihte asnjë. Ka qen ora 12 e natës. Ai e dinte që natën s’ka pas njeri të huj këtu por do ishim vetëm na të shpis. Tha unë kam ardhë që të pranoni Sali Berishën të pijë kafe këtu se unë do ju a gjej me fotografi personin, do t’ju ndihmoj nga gjendja ekonomike, do u gjej vrasësin. I thashë pse Berisha nuk erdhi në varrim kur qenka kaq i interesum. Më tha jo ka pasë frikë, ka përfaqësues të tjerë. Nuk e nalova unë.

Ai më tha se kam një shumë parash. Nuk mi cilësoi se sa. Më tha i kam në valixhe në makinë. Unë i thashë nuk du as lekë, asnji gja. Pasi e pa që nuk jena tu e pranu, doli në rrugë e prapë më thirri. Kemi ndenjë një orë e gjysëm në rrugë vetëm me atë, unë e vëllai i vogël. Pranojeni, pse s’e pranoni, ça arsye ka, filloi me shajtë të tjerët. Personin ta gjejmë ne, më tha, kur të pranoni Sali Berishën në shtëpi. A e vret Sali Berisha, a e dënon Sali Berisha, do të merret ai me atë punë. Ka me e vra ai. Po s’e vrau ai, e vras unë. Ki kur erdh këtu folëm, pimë kafen, tha jam Fatos Skeja. Unë e njifsha se është i zonës tonë. I thashë qofsh shnosh. Tha unë sa kam dal prej kafes. Kam qenë me Sali Berishën.

Tha kokë më kokë me Sali Berishën. Tha bile më pret në zyrë. Tha se e marr pri këtu në telefon. I thashë që nuk e pranoj. Tha unë kam qenë në tarracë, sipër të kryeministrisë dhe e kam pa nga ka ardhë plumbi dhe kush e ka vra Hekuranin. Më tha vetëm pranoni Saliun me ardh me pi kafe këtu dhe të gjitha gjanat kam me i rregullu un”, deklaronte vite më parë në emisionin “Xhungël” të gazetarit Artan Hoxha, vëllai i Hekuran Dedës, Sabit Deda, vrarë më 21 janar 2011.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related