Pas rihapjes së aksit Librazhd–Prrenjas mesditën e sotme, Policia Rrugore e Elbasanit, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka shtuar prezencën dhe monitorimin në terren për të garantuar lëvizjen e sigurt të automjeteve.
Rihapja vjen pas shembjes së një segmenti rrugor që detyroi devijimin e qarkullimit dhe krijoi vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Apeli i autoriteteve
Policia bën me dije se:
- Në zonë vijojnë punimet;
- Kërkohet respektim i kufijve të shpejtësisë;
- Duhet ndjekur sinjalistika e përkohshme rrugore;
- Të respektohen udhëzimet e efektivëve në terren dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit në këtë segment.
Në rast nevoje apo emergjence, qytetarët mund të kontaktojnë numrin unik 112.
