Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiç humb shpresat: Nuk kemi asnjë shans, presioni po rritet ndaj Serbisë

Data

Miratimi i mundshëm i draft-rezolutës për gjenocidin e Srebenicës në Nju Jork në fillim të majit, ka nxitur shumë reagime në Serbi dhe nga politikanët serbë në vendet e tjera të rajonit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai po e vazhdon fushatën e lobimit, edhe këto ditë të qëndrimit të tij në Nju Jork, me takime dypalëshe, ndonëse, duket se po i humbet shpresat për sukses. “Ne u përpoqëm të shpjegojmë qëndrimin tonë, të shpjegojmë se edhe pse Serbia është një vend i vogël, ne e dimë se nuk kemi shanse dhe presioni po rritet edhe këtu mbi vendet që ishin kundër saj”, tha Vuçiç ditën e djeshme. “Do të ketë një luftë deri në ditën e fundit. Në misionin tonë, gjithçka këtu po shpërthen me energji. Ata që dorëzojnë rezolutën, fuqitë më të mëdha të botës dhe që bëjnë presion, do të kenë një kundërshtar serioz në një vend të vogël që ka guxuar të mbrojë vendin. Mos bëni një gjykim kolektiv, sepse kjo është pikërisht ajo që po bëni. Nuk do të kontribuojë në konsolidimin e paqes, por në ndarje të tjera. Është obligim ynë që të mbrojmë integritetin e popullit serb”, theksoi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. “Unë jam skeptik, sepse presionet po shtohen”, pranoi presidenti serb. Nismëtarët e rezolutës për Srebrenicën janë Gjermania dhe Ruanda. Më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe vende të tjera thanë se e mbështesin këtë rezolutë në OKB. Vendet anëtare të OKB-së mund të shprehin mendimin e tyre për rezolutën përfundimtare, për të cilën ende po punohet, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që pritet të mbahet në fillim të majit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related