Partia Socialiste duket se po përjeton një nga krizat më të mëdha të brendshme në Durrës, aty ku përplasjet me kryeministrin Edi Rama kanë dalë jashtë kontrollit. Kryeministri kërkon me çdo kusht të sigurojë 8 mandate më 11 maj, por baza socialiste i ka dhënë një mesazh të qartë, teksa i ka kujtuar shefit të selisë rozë se qytetarët po i përzënë. Mësohet se në një mbledhje të tensionuar, socialistët e Durrësit nuk i kursyen akuzat, duke e bërë përgjegjës Ramën për dështimin e strukturave dhe për emërimet e drejtuesve që nuk kanë lidhje me qytetin.
Drejtorët e korruptuar, të ardhur nga Tirana dhe qarqe të tjera, jo vetëm që nuk e përfaqësojnë Durrësin, por janë kthyer në një gangrenë për partinë, duke minuar besimin e qytetarëve dhe duke hedhur në erë çdo plan elektoral të kryeministrit. Debatet kanë qenë të ashpra, me drejtues vendorë që paralajmëruan se fushata do të ishte një katastrofë nëse nuk merren masa urgjente.
Rama, i kapur në befasi, u përpoq të zbusë situatën, por u përball me një revoltë të hapur. Me zemërimin që rritet çdo ditë dhe me mungesën e një strategjie konkrete për të rikthyer besimin, beteja e Ramës për Durrësin duket më e vështirë se kurrë. Por a do të arrijë kreu i PS, Edi Rama të mbajë në kontroll situatën, apo ky qark do të shndërrohet në fushëbetejën e madhe të përçarjes brenda Partisë Socialiste? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.
