Reporterët Pa Kufij i është përgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin mbi lirinë e medias në Shqipëri, duke i kërkuar që energjinë ta fokusojë tek adresimi i problemeve konkrete të medias dhe jo tek kundërshtimi i indeksit ndërkombëtar të organizatës.
Në një reagim në rrjetin social X, organizata ndërkombëtare shkruan:
“Kryeministër Edi Rama, në vend që të përpiqeni kot të provoni se indeksi i Reporters Without Borders është i gabuar, ne propozojmë që energjia të investohet në adresimin e problemeve kronike të lirisë së medias në Shqipëri.”
RSF shtoi se është e gatshme për dialog së bashku me partnerët lokalë për të diskutuar rekomandimet dhe shqetësimet mbi situatën e medias në vend.
Debati nisi pasi raporti vjetor i Reporterët Pa Kufij e renditi Shqipërinë në vendin e 83-të për lirinë e shtypit, me rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Pas publikimit të raportit, Rama reagoi duke sjellë në vëmendje një raport të SIGMA OECD që vlerësonte pozitivisht Agjencinë për Media dhe Informim. Megjithatë, RSF iu kundërpërgjigj duke theksuar se organizata mat lirinë e medias dhe jo performancën e komunikimit qeveritar.
Organizata ngriti shqetësime për:
- presionet politike ndaj mediave;
- kërcënimet ndaj gazetarëve;
- problemet me transparencën;
- dhe abuzimet me zbatimin e ligjit.
Më pas, kryeministri publikoi edhe një raport të AMA, sipas të cilit opozita kishte dominim më të madh në hapësirën televizive.
Gjithashtu Rama përmendi një raport të startup-it me inteligjencë artificiale “Bulletin Intelligence”, duke pretenduar se ai rrëzonte akuzat për media të kontrolluara nga qeveria.
Megjithatë, Reporterët Pa Kufij këmbëngul se problematika kryesore mbetet klima e lirisë së medias dhe kushtet në të cilat ushtrojnë profesionin gazetarët në Shqipëri.
