Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i Ilir Metës paraqiti sot një rekurs në Gjykatën e Lartë për të liruar presidentin e PL nga burgu. Gazetarja Klodiana Lala zbardhi detaje nga kërkesa e Metës. Ajo tha se kreu i Partisë së Lirisë, si një nga drejtuesit kryesorë të opozitës kërkon lirinë, krahas pretendimeve për arrestim të paligjshëm dhe pa prova – edhe për të kryesuar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Avokati Gjokutaj u paraqit në Apelin e GJKKO ku paraqiti rekursin kundër vendimit të kësaj gjykate. Ai tha se masa e arrestit me burg për Ilir Metën nuk përshtatet pasi nuk ekziston rreziku për t’u larguar dhe prishur provat si dhe nuk ka prova që të fajësohet Meta. Mënyra e arrestimit të Metës nga Policia e Shtetit, avokati e ka cilësuar banditesk. Sipas tij duhet shfuqizuar masa nisur nga fakti se zoti Meta si lider i opozitës, duhet të dalë dhe përballet me zgjedhësit në fushatën zgjedhore të 11 majit”, tha ajo.
Gjykata pritet të caktojë relatorin dhe më pas të shqyrtojë këtë çështje të Metës. SPAK po heton Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasure.
