Regjisori i famshëm i Hollivudit dhe gruaja e tij gjenden të vdekur në shtëpinë e tyre në Los Angeles, dyshime për vrasje

Data

Regjisori dhe aktori i njohur i Hollivudit, Rob Reiner, dhe bashkëshortja e tij Michele Reiner janë gjetur të pajetë në banesën e tyre në Los Angeles, njoftuan autoritetet amerikane.

Policia bëri me dije se trupat e një burri 78-vjeçar dhe një gruaje 68-vjeçare u gjetën pasditen e së dielës në shtëpinë e çiftit, e ndodhur në lagjen luksoze Brentwood. Rrethanat e ngjarjes po hetohen dhe autoritetet nuk përjashtojnë pistën e vrasjes, megjithatë deri në këto momente nuk ka asnjë person të dyshuar.

Zëvendësshefi i policisë, Alan Hamilton, deklaroi se trupat kishin qëndruar në banesë për më shumë se gjashtë orë përpara mbërritjes së shërbimeve të emergjencës. Sipas tij, shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet pas ekzaminimeve nga Zyra e Mjekësisë Ligjore të Los Angeles-it.

Rob Reiner konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë amerikane. Ai ka firmosur regjinë e disa prej filmave më ikonë të Hollivudit, përfshirë “The Princess Bride”, “This Is Spinal Tap”, “When Harry Met Sally”, “Misery” dhe “A Few Good Men”. Gjithashtu, ai ishte bashkëthemelues i kompanisë së njohur të produksionit Castle Rock Entertainment.

Karrierën e nisi në vitet ’60, ndërsa famën e madhe e fitoi në vitet ’70 me rolin e Meathead në serialin legjendar “All in the Family”, për të cilin u vlerësua me dy çmime Emmy.

Reiner ishte i martuar më parë me aktoren dhe regjisoren Penny Marshall nga viti 1971 deri në 1981 dhe është babai adoptues i aktores Tracy Reiner. Në vitin 1989 u martua me Michele Reiner, aktore dhe fotografe, me të cilën ka tre fëmijë.

Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet kanë premtuar informacione të reja sapo të ketë rezultate zyrtare nga ekspertiza mjekoligjore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related