Jetëshkrimet e vetëdeklaruara të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare sugjerojnë se shqiptarët do të mund të zgjedhin, në thelb, mes drejtorëve aktualë të administratës publike, ish-drejtorëve në opozitë dhe një numri aktivistësh dhe qytetarësh të thjeshtë që garojnë për partitë e reja, përfshirë të papunë, fermerë dhe punëtorë të thjeshtë.
Një hulumtim mbi jetëshkrimet e vetëdeklaruara të kandidatëve të zgjedhjeve të 11 majit, sugjeron se në radhët e partisë në pushtet garojnë njerëz që në shumicën dërrmuese janë drejtorë në administratën publike dhe më pak politikanë në profesion.
Në listë dallojnë drejtorët e punëve thellësisht teknike, të cilat, logjikisht vështirë se mund të prodhojnë ide politike, të tilla si Agjencia Kombëtare e Ushqimit apo Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Përballë tyre, nga koalicioni Shqipëria Madhështore, vihen re, përveç politikanëve profesionistë, një numër aspak i ulët ish-drejtorësh, të PD-së apo LSI-së, shumë prej të cilëve kanë mbetur të papunë prej shumë vitesh. Të dyja partitë e mëdha, për nga lloji i jetëshkrimeve të kandidatëve, duket se janë, në njëfarë mënyre, parti elitiste. Nuk ka fermerë në to apo punëtorë të zakonshëm. Në raste të rralla në garë në listat e tyre gjendet ndonjë dentist apo farmacist, njerëz që punojnë praktikisht në sektorin privat.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit garojnë gjithsej 2046 kandidatë për deputetë – një numër tepër i lartë ky i diktuar nga parashikimet e përcaktuara nga dy partitë e mëdha në Kodin Zgjedhor. Partia Socialiste në maxhorancë dhe aleati i saj i pashpallur, Socialdemokratët e Tom Doshit, kanë bashkërisht 372 kandidatë, ndërsa partitë që garojnë në kampin opozitar, të mëdha dhe të vogla, kanë së bashku 1674 kandidatë.
