Dua ta deklaroj vetë, që në fillim, se deklarata e Koalicionit Euroatlantik më shqetësoi shumë. Më shqetësoi për dy arsye: e para, sapo e përpiluan me një shpejtësi rrufe, ma dërguan në WhatsApp personalisht, si një formë sfidimi. Dhe e dyta, shumë më e rëndë se e para – më fyenin. Dhe bashkë me fyerjen, edhe mashtronin, edhe nxinin, edhe hamendësonin. Sa shumë trishtim. Sa shumë ankth. Sa shumë frikë mund të ndjente njeriu i thjeshtë në ato pak rreshta.
Një tjetër pamje e shëmtuar, përveç sa më sipër, ishte edhe mënyra e të shkruarit. Nuk kisha parë deklaratë më amatore, më keqdashëse dhe më poshtëruese ndaj një gazetari që prej dy dekadash përpiqet të mbijetojë me këtë profesion. Sigurisht, diku mund të kem punuar mirë, diku mjaftueshëm e diku tjetër keq. Por hartuesi i deklaratës, ku ka punuar? Ai, “bir kurve”, që s’i ka thënë askush “puna e mbarë” ku ka punuar, e di kush ndonjë gjë për të? Përveçse si një rehabilitues emocionesh plakash të lëshuara…
Dua ta bëj të qartë: asgjë në këtë jetë s’më është falur, përfshirë edhe qasjen time në hapësirën publike. E deklaroj vetë këtë pezm, me idenë se jam plotësisht i vetëdijshëm se ata, pra “euroatlantikët”, nuk kanë asnjë kapacitet moral për të më gjykuar. Nuk kanë si ta bëjnë dot, pasi janë të zhytur në mashtrim dhe në një erozion moral të paparë. Askush nuk ndjen përgjegjësi për asgjë. Dhe këtë e di. E di shumë mirë.
Nëse i referohemi deklaratës, aty thuhet se unë jam mercenar i tre pushteteve. Por unë jam vetëm një individ, dhe dy kunguj në një sqetull nuk mbahen, imagjino tre. Ata duhet të ndajnë mendjen – unë vetëm njërit mund t’i shërbej. Edhe pse, për sa i përket shërbimit, ata e dinë shumë mirë, më mirë se kushdo, që unë kam qenë më i zjarrti në kauzën e tyre. Por kam qenë “free”. Dhe kur them “free”, sfidoj të nxjerrin një faturë apo një qindarkë që më kanë dërguar ndonjëherë.
