Kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale, ku shfaqet duke përgatitur fjalimin që pritet të mbajë të premten në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë.
Në videon e publikuar dëgjohen në sfond thirrjet e protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Duke iu referuar tyre, Rama u shpreh se ato janë “kënga ime e preferuar”.
Në deklaratën e tij, kryeministri njoftoi se të premten, duke nisur nga ora 09:30, do të zhvillojë një komunikim publik, ndërsa tha se do të ndante edhe qëndrimet e tij lidhur me çështjen e projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit.
Në postimin që shoqëron videon, Rama shkruan: “Mirëmbrëma ka Tirona e kontradiktave”, duke njoftuar se po përgatitej për aktivitetet e planifikuara të ditës së nesërme.
Deklaratat përfaqësojnë qëndrimet e kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, protestuesit kanë vijuar tubimin e tyre në bulevard, duke përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në politikat e qeverisë.
