12 marsi është afati i fundit për shqyrtimin në Kuvend të kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, çka do t’i hapte rrugë procedurave për arrestimin e saj.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin se po tentojnë të zvarrisin procesin për të djegur afatin tremujor.
Sipas tij, qeveria po përpiqet të shmangë përballjen me drejtësinë, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj Ballukut, duke e akuzuar për korrupsion dhe përpjekje për të dëmtuar provat.
Berisha u ndal edhe te AKSHI dhe Ergys Agasi, për të cilin pretendoi se disponon materiale komprometuese dhe se ka ushtruar ndikim në struktura të ndryshme shtetërore. Ai hodhi akuza për presione ndaj drejtësisë dhe kërcënime ndaj prokurorëve të SPAK.
Mazhoranca nuk ka reaguar ende lidhur me këto deklarata, ndërsa pritet që Kuvendi të shqyrtojë brenda afatit kërkesën për heqjen e imunitetit.
