Qeveria ka miratuar një vendim për të kompensuar bizneset pas rritjes së pagës minimale në vend, duke përcaktuar rregullat dhe kriteret për mbështetjen financiare të punëdhënësve.
Vendimi parashikon dhënien e një kompensimi financiar mujor për periudhën janar–shtator 2026 për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguajnë punëdhënësit, si pasojë e kostos shtesë të krijuar nga rritja e pagës minimale.
Nga 1 janari 2026 paga minimale në Shqipëri është rritur nga 40 mijë në 50 mijë lekë në muaj, duke përfshirë mbi 300 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat.
Sipas vendimit të qeverisë, kompensimi do të jepet për subjektet që kanë të punësuar me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë, sipas listëpagesës së deklaruar në shtator 2025.
Bizneset do të përfitojnë kompensim në masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, që arrijnë në 16.7% të diferencës mes pagës së mëparshme dhe pagës së re minimale.
Aplikimet për këtë skemë do të kryhen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania nga 1 prilli deri më 31 tetor 2026, ndërsa pagesat do të realizohen çdo muaj nga strukturat përkatëse të shtetit.
Efekti financiar i kësaj skeme për periudhën janar–shtator 2026 do të përballohet nga buxheti i shtetit, në programin “Tregu i punës”.
