Qeveria ka vendosur indeksimin e pagave me 2.5% për mësuesit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ushtarakët. Efektet financiare do të zbatohen nga 1 janari 2026.
Për mësuesit dhe stafin jomësimor në arsimin parauniversitar, rritja prej 2.5% aplikohet sipas pozicioneve të përcaktuara në vendim. Financimi do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2026, si dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore përmes transfertave qendrore dhe të ardhurave të veta.
Për ushtarakët, paga bazë dhe shtesat rriten me 2.5%, përfshirë elementët që lidhen me gradat dhe titujt akademikë apo kualifikimet shkencore. Efektet financiare mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Për Policinë e Shtetit, rritja prej 2.5% aplikohet për të gjitha gradat. Financimi do të përballohet nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
