Në një seancë pyetje-përgjigje në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësimin për pezullimin e shërbimit në qendrën shëndetësore nr.8, në rrugën “Irfan Tomini”, duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë për banorët e Njësisë 5.
Braçe theksoi se zona ka një numër të konsiderueshëm të moshuarish dhe pacientësh kronikë, për të cilët afërsia me shërbimin mjekësor është thelbësore. Ai kërkoi të dijë kur do të rikthehet funksionimi i qendrës, duke argumentuar se transferimi i pacientëve në një tjetër ambient nuk përbën zgjidhje afatgjatë.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, sqaroi se ndërprerja është bërë mbi bazën e një ekspertize teknike, e cila ka konstatuar mungesë të kushteve minimale të sigurisë strukturore në godinën ekzistuese. Sipas saj, shërbimi është transferuar përkohësisht në qendrën pranë shkollës “Vasil Shanto”, rreth 850 metra larg, dhe qytetarët janë njoftuar paraprakisht.
“Shërbimi mjekësor nuk është cenuar,” u shpreh ministrja, duke shtuar se zgjidhja afatgjatë do të jetë rikonstruksioni i godinës ekzistuese, i planifikuar si prioritet për vitin 2026.
Nga ana tjetër, Braçe kundërshtoi duke deklaruar se distanca dhe kushtet aktuale në ambientet pritëse nuk përmbushin nevojat reale të banorëve. Ai theksoi se Njësia 5 ka nevojë për më shumë hapësira dhe kapacitete shëndetësore, sidomos në periudhë gripi dhe për pacientët me sëmundje kronike.
Debati mbetet i hapur, ndërsa banorët e zonës presin një zgjidhje konkrete për rikthimin e shërbimit sa më pranë komunitetit.
