PS nis përgatitjet për Kongresin e qershorit dhe ndez “motorët” për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, socialistët synojnë fitore plebishitare në 2025-n, Blendi Klosi mesazh të korruptuarve dhe inkriminuarve se partia nuk do jetë mburojë për ta

Data

Partia Socialiste ka nisur dje procesin e zgjedhjeve për delegatë të Kongresit të qershorit, i cili do të zhvillohet përgjatë dy ditëve, 10-11 maj, sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërkohë që gjithashtu duket se ka ndezur “motorët” për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku socialistët synojnë fitore plebishitare në 2025-n. Lajmi është bërë i ditur dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Fillimisht ishte deputeti Klosi, i cili ditën e djeshme në një konferencë për medie dha detaje nga zhvillimi i këtij procesi zgjedhor, i cili do të kryhet në 5200 organizata socialiste në të gjithë vendin. Klosi u shpreh se do të thirrjen për të votuar 95 mijë anëtarë aktivë të Partisë Socialiste për të zgjedhur 950 delegatë të Kongresit Zgjedhor, nga 1970 kandidatë që janë në garë. Sakaq, ai ka njoftuar dhe turi që do të nis nga kryeministri Edi Rama në Athinë më 12 maj dhe do të vazhdoj nëpër vende të ndryshme. “Sot fillon procesi i votimit që do shtrihet në dy ditë, sot në orën 3 deri në orën 7 në 5200 organizata socialiste thirren për të votuar 9 mijë anëtarë të PS për të zgjedhur 1970 kandidatë për 950 delegatë që do zgjidhen për kongresin e ardhshëm të kësaj partie. Do zgjidhen bazuar në parimet: Barazi gjinore, është zbatuar kjo në kuadër të frymës së re që u arrit me frymën e jashtëzakonshme. Në 2 muaj anëtarësuam 33 mijë anëtarë të rinj në PS. Në delegatët e kongresit ka një numër që na bën krenar, Me parimin një anëtar një votë do të zgjedhim anëtarët e Kongresit dhe do të jetë në mënyrë të barabartë vajza dhe gra. Ky proces i rëndësishëm për jetën e brendshme të Partisë Socialiste dhe për këtë do të kemi një fushatë shumë të bukur. Nga dita e diel kryetari i partisë dhe kryeministri Edi Rama fillon nga Athina një sërë takimesh. Ditën e diel do të jemi në orën 11 në një takim me diasporën atje. Në datën 26 maj në Milano përsëri takim me diasporën dhe 6 qershor në Londër, ndërsa në 12 maj në Gjermani”, deklaroi Klosi, teksa zbuloi se theksoi se në harkun kohor të dy muajve janë anëtarësuar 33 mijë anëtarë të rinj. Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, në një konferencë me gazetarët u pyet se sa mandate mund të merrte PS nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën. “Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, apo të dielën, ne kemi një sondazh të vjetshëm, ku fituam 56 bashki nga 61. Një vit më parë, sot jemi një 1 vit nga fitorja e 14 majit, ku puna e PS dhe e Ramës dha një rezultat të jashtëzakonshëm. Do të jetë fitore më shumë se rezultati numerik. Nuk dyshoj se do të ketë më shumë se në zgjedhjet e fundit. Jemi duke u përgatitur për 2025. PS është e orientuar për fitoren e mandatit të katërt, ndaj po punojmë në të gjithë Shqipërinë. Përpjekja jonë është që në Tiranë të triumfojnë sërish siç triumfuam vetëm një vit më parë”,  u shpreh Klosi.

Drejtësia

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi është ndalur ditën e djeshme në paraqitjen e zyrtarëve të lartë socialistë në SPAK. I pyetur për qëndrimin e PS, ai u shpreh se nuk komentojnë vendimet që merr drejtësia. Klosi tha ndër të tjera  se “kush shkon në dyert e gjykatave do gjykohet për ato çfarë faktet tregojnë në procesin gjyqësor dhe nuk do ketë asnjë mbrojtje nga politika”. “Siç e kemi thënë ne nuk kemi komente për vendimet që do marrë drejtësia, por jeni të qartë që kushdo që është kërkuar të japë informacione para drejtësisë nuk ka pasur pengese nga PS dhe nga kryeministri. Besoj që është një realizim i një premtimi të fortë elektoral që ne morëm mandatin në 2013 për një drejtësi të pavarur. Kushdo që ka kërkesa nga organet e drejtësisë së re për të dhënë informacione do të duhet të japë. Kush shkon në dyert e gjykatave do gjykohet për ato çfarë faktet tregojnë në procesin gjyqësor dhe nuk do ketë asnjë mbrojtje nga politika për ata që kanë procese gjyqësore”, tha ai. Sakaq i pyetur nga gazetarët për datat e takimit në Greqi të Ramës nëse është rastësi apo ka lidhje me shënimin e një viti nga arrestimi i Fredi Belerit, ai e mohoi. “Ne nuk kemi komente për vendime që do marrë drejtësia, por jeni të qartë që kushdo që është kërkuar të japë informacione para organeve të drejtësisë, nuk ka pasur pengesë nga PS. Sa i përket lidhjes që bëni me kapjen në flagrancë të Belerit, ne turin e kemi deklaruar që në 8 dhjetor. Pasi bëmë proceset zgjedhore dhe turet brenda vendit, i erdhi radha diasporës, s’ka lidhje me datën e një viti të arrestimit me kandidatin Himarës”, nënvizoi Klosi.

Reagon Balla

Nga ana tjetër, sa i takon procesit të rienergjizimit në Partinë Socialiste, ka folur edhe ministri Taulant Balla, i cili gjatë një prononcimi për mediat, thotë se ky është një test për strukturën e PS para muajit shtator, kur pritet që të ndezin “motorët” për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2025. Drejtuesi politik i Fierit, Taulant Balla tha se ky qark do të përfaqësohet në Kongres me 140 delegatë dhe është qarku i dytë me numrin më të madh të përfaqësuesve. “Procesi i rienergjizimit ka hyrë në fazën e vet më të rëndësishme. Është momenti kur të gjithë anëtarët thirren për të votuar delegatët, pra përfaqësuesit në Kongres. Qarku i Fierit është një ndër qarqet më të mëdha për nga numri i delegatëve që përfaqësohet në Kongres, për shkak të 14 mijë anëtareve. Në përfundim të procesit do kemi edhe delegatët që do përfaqësojnë Fierin në Kongres. Procesi ka ecur shumë mirë, jam i sigurt që edhe nesër do kemi një pjesëmarrje të lartë. Ky është edhe një test për strukturën tonë të partisë para shtator kur ndizen motorët për zgjedhjet parlamentare 2025”, deklaroi ai, Po ashtu, Balla zbuloi se procesi ka ecur mirë, ndërkohë si risi shihet përfaqësimi gjinor ku përkatësisht meshkuj edhe femrat do të kenë nga 50 përqind të delegateve. Ndërsa një risi tjetër sipas drejtuesit politik të Fierit, do të jetë edhe përfaqësimi i sa më shumë të rinjve. “Nga 140 delegatë që ka Fieri, 70 do jenë burra dhe 70 gra. I kemi dhënë kësaj radhe një mbështetje në përfaqësim të rinjve, se numri i të rinjve si kandidatë është më i larti se asnjëherë tjetër. Do na garantojë që mbi 35% e delegatëve të jenë të rinj të profesioneve të ndryshme që të garantojmë që në 140 delegatët e Fierit të rinjtë të kenë peshën që u takon”, nënvizoi Balla.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related