Protestuesit i bëjnë thirrje SPAK-ut: Hetoni pasurinë e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij

Data

Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe në ditën e 23-të radhazi, ku pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kanë bërë thirrje për veprim nga institucionet e drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, një qytetar deklaroi se kur humbet besimi tek institucionet dhe kur të rinjtë e shohin emigrimin si të vetmen alternativë për të ardhmen, qytetarët kanë detyrimin të kërkojnë llogari nga qeveria.

“Kur një qeveri harron se pushteti buron nga populli dhe jo nga privilegji, kur qytetarët humbin besimin tek institucionet dhe kur të rinjtë shohin emigrimin si shpresën e vetme për një jetë më të mirë, atëherë është detyrë e çdo qytetari të kërkojë llogari dhe ndryshim”, u shpreh ai, mes thirrjeve të turmës “Rama ik!”.

Protestuesi iu drejtua gjithashtu SPAK, duke kërkuar hetime mbi pasurinë e kryeministrit dhe personave pranë tij.

“Ju lutem SPAK, bëni detyrën tuaj. Hetoni kryeministrin, të gjithë rrethin e tij. Hetoni pasurinë e tij dhe gjithçka që lidhet me të”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, protestuesi ngriti shqetësimin edhe për atë që e konsideroi mungesë reagimi nga faktorët ndërkombëtarë, duke thënë se qytetarët presin më shumë vëmendje ndaj shqetësimeve të tyre për demokracinë dhe qeverisjen.

Protestat para Kryeministrisë kanë vazhduar prej më shumë se tre javësh, me pjesëmarrës që kërkojnë ndryshime politike, luftë kundër korrupsionit dhe më shumë llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related